Faqja përditësohet në facebook. Na ndiqni!

Wednesday, September 8, 2010

Në fshatin e një Kryeministri

.
05/09/2010
Nga Fatos Baxhaku

Nuk ndodh shpesh që një fshat të nxjerrë një Kryeministër. Aq më tepër Kryeministër që të ketë qenë në pushtet për dekada me radhë dhe më shumë akoma, një njeri fundi i të cilit ende diskutohet gjallërisht në shtyp, ndër libra, në shtëpi të thjeshta. Kjo është një vizitë në fshatin Çorrush të Mallakastrës, në vendin ku këtu e 97 vjet më parë lindi Mehmet Shehu, dorë e fortë e sistemit që mbretëroi vendin për 50 vjet, por njëherazi edhe viktimë e tij. Një nga ata “bijtë” që i ha revolucioni. Ne udhëtojmë në atë që e quajnë Mallakastra e Egër. Në fillim mendojmë se njerëzit, që e kanë quajtur kështu, mbase e kanë tepruar ca me këto terma. Vetëm pak metra pasi kemi lënë mënjanë rrugën nacionale, që të çon drejt Jugut, nisemi t’u japim të drejtë. Bën një vapë e paparë dhe ne e kemi ende në hundë atë erën e puseve të naftës që kemi lënë pas. Është ditë e enjte dhe një vargan dasmorësh na përshëndet me hare. Është e vetmja shenjë e gëzueshme që do shohim gjatë këtij udhëtimi. Pasi shamitë e kuqe, të varura nëpër pasqyrat e makinave, zhduken pas një kthese, mbetemi vetëm, fare vetëm përgjatë një peizazhi të zhveshur e të djegur nga dielli. Një kalimtar i vetmuar, që kushedi se cili hall e ka nxjerrë në pisk të vapës na e bën me dorë nga një grumbull kodrash, që nga larg duken shumë të gjelbëruara. “Ja, atje tej është Çorrushi, vetëm se ku doni të shkoni saktësisht? Ai është një fshat shumë i shpërndarë…”. Udhëtojmë edhe disa kohë mbi asfaltin e vjetër që të çon drejt Çorrushit. Në 1976, kohë në të cilën është shtruar sera mbi të cilën po kalojmë, kjo rrugë ishte ndër të paktat në Shqipëri që lidhte një fshat me rrugën nacionale. Asokohe, Mehmet Shehu, “djali i fshatit”, ishte në kulmin e pushtetit të tij.

12 Mëhallët

Fshatari kishte të drejtë. Çorrushi në fakt shtrihet që nga rruga nacionale e deri në anë të Vjosës. Përballë ndodhet krahina e Kudhësit, ku fillojnë fshatrat e Vlorës. Vjosa dredharake duket e qetë nën vezullimin e një dielli përvëlonjës. Në anë të saj shtrihen arat e Çorrushit. Bëjmë ca mund që të dallojmë shtëpitë. Ato janë të fshehura nën hijen e rëndë të pemëve. Vetëm tek-tuk dallojmë ndonjë figurë njerëzore. Duket sikur njerëzia është strukur kushedi se ku. Në qendër të fshatit, atje ku është shkolla, një djalë i ri se ç’ka një problem me gjelat e detit. Mbase janë të vetmet qenie me të cilat mund të komunikojë diçka. Pastaj kemi fat. Një lokal në krah të shkollës së heshtur është i hapur. Gruaja që shërben aty na sheh gati-gati me habi. “Klientë në këtë orë të paradites”, do të ketë menduar me siguri. Lokali është krejt i boshatisur. “Zonjë, ku mund të ulemi?”, bën shaka me dashamirësi njëri prej nesh. Zonja vë buzën në gaz. E ka kuptuar fare mirë shakanë. Si ia shpjegojmë se nga vijmë e çfarë na duhet tregohet shumë e gatshme të na ndihmojë. “Po ju duhet të flisni me Teki Pashajn – thotë - ai është drejtori i shkollës dhe është marrë me historinë e fshatit”. Djali që merrej me “kaposhët” vrapon drejt shkollës dhe kthehet me një frymë. “Drejtori do vijë t’ju takojë sapo të mbarojë një punë”, thotë me një buzëqeshje të hareshme. Me siguri i duket që, më në fund, e ka bërë një punë vërtet të dobishme.
Teki Pashaj, drejtori, vjen i shoqëruar nga Petrit Xhaferri, një mësues. Dikush prej nesh del mik me drejtorin. Vite më parë ata janë takuar për punë pune. Kështu që e kemi më kollaj të miqësohemi e të flasim për Çorrushin.
Tekiu dhe Petriti na rrëfejnë disa histori të vjetra. Fshati i sotëm ka 12 mëhallë dhe mbase edhe me një të re, të krijuar kohët e fundit, bëhen 13. Secila prej tyre e ka një histori. Disa mëhallë janë krijuar nga kurveleshas të zbritur këtu para 200 e më shumë vjetësh, disa mëhallë të tjera janë banuar nga vendas të cilëve nuk u dihet origjina e largët. Një emër tjetër i njohur kujtohet gjatë bisedës, Çaush Prifti i Hormovës, njeriu me fat tragjik që guxoi të mos i bindej Ali Pashë Tepelenës. Njerëzit e tij paskan përfunduar pikërisht këtu.


Pasardhësit e Çaushit të Hormovës


Çaush Prifti ishte prijësi i të krishterëve të Hormovës së vjetër. Personazh i diskutueshëm i kohës, për të gjithë shkrimtarët e atëhershëm ky ishte një cub që u vinte gjoba udhëtarëve që kalonin në rrugën drejt Janinës. Madje, gojët e liga kishin nisur të thoshin që ai kishte dhe një marrëdhënie të fshehtë me Hankon, të ëmën e Aliut. Në këtë histori, me sa duket, janë ngatërruar edhe paratë. Kush e kush do t’i mblidhte më parë gjobat që u viheshin nevojtarëve. E kështu, nga një miqësi e parë ka lindur një armiqësi e fortë. Aliu, si u forcua ca, nisi t’u bënte kërkesa hormovitëve të Çaush Priftit. Kjo histori duhet të ketë vazhduar gjatë derisa kanë nisur bisedimet e para. Aliu i ka ftuar burrat hormovitë në një takim në manastir. Këta e kanë pranuar ftesën. Porse dyert e manastirit janë mbyllur befas dhe burrat janë shkuar sakaq në shpatë. Kryetari i tyre, Çaushi është pjekur në hell. Nuk ishte një dënim i shpikur nga Ali Pasha. Vetë Sheriati asokohe e pranonte edhe këtë dënim për faje të rënda. Banorët e shpëtuar e braktisën fshatin e djegur.
Vazhdimin e historisë ia lëmë Tekiut. Ai, sigurisht që nuk e shan Çaushin për ndonjë “gabim të vogël”. Edhe ne nuk kemi se si ta presim prej tij një gjë të tillë. Ja version i tij: “Në fakt, në fillim Aliu ishte mik me hormovitët. Ata bënin punë bashkë dhe kishin miqësi. Por më pas, Aliu, i etur për para e pushtet nisi t’u bënte presione atyre. Jo rastësisht u hap edhe fjala se Çaush Prifti ishte i dashuri i Hankos. Kështu Aliu do të kishte një shkak për të ndërhyrë në fshat. Një Jusuf Arapi, besnik për kokë i Ali Pashës deri në vdekje, i sajoi të gjitha këto punë. Ndodhi ajo që ndodhi, por për fat, katër djemtë e Çaushit dhe një njeri i besuar i tyre, ai që mbante flamurin në luftë e që quhej bajraktar, mbetën gjallë. Si u dogj dhe u plaçkit fshati, ishte e kuptueshme që këta e kishin jetën të pamundur në Hormovë. Këta erdhën dhe u vendosën këtu. Ishin katër djem e një bajraktar. Pasardhësit e secilit prej tyre krijuan nga një mëhallë. Atje ku u vendos bajraktari quhet edhe sot e kësaj dite lagjja Bajraktaraj. Unë vetë vij nga një fis që është pasardhësi i njërit prej djemve të Çaushit. Këtë ngjarje na e kanë treguar të parët tanë brez pas brezi. Madje në folklorin tonë ka edhe shumë këngë për këtë histori”.

Paqe me barut


Ndërsa flasim në sheshin krejt të qetë sytë na shkojnë vazhdimisht në malin përballë. Mbi Vjosën që gjarpëron poshtë, duken njolla të bardha. Janë shtëpitë e krahinës së Kudhësit. Andej janë lebërit, këndej mallakastriotët. Në Çorrush banorët e fshatrave matanë Vjosës i quajnë “përtejasit”, me pak fjalë njerëzit që banojnë matanë lumit. Tani janë të lidhur me njëmijë fije krushqie, interesash, miqësish, por nuk ka qenë kështu kohë më parë. “Vjosa – na thotë Tekiu – si të gjithë lumenjtë e ndryshon shpesh shtratin e saj. Sidomos në periudha vërshimesh e shirash. Kur erdhën këtu pasardhësit e Çaush Priftit ishte vendosur me kohë që kufiri mes tokave të ishte lumi, por ky ishte tekanjoz. Banorët e zonës së Kudhësit asokohe ishin më të fortë dhe shumë herë shfrytëzonin tokat që lumi i shtynte në krahinën tonë. Puna u acarua keq mes banorëve të të dy brigjeve. Aq sa shkoi puna gati për luftë. Ata të Kudhësit madje nisën të bënin edhe fortifikime me drurë e gurë që nxirrnin nga mali. Nëse do niste lufta atëherë me siguri do të kishte shumë të vrarë nga të dy palët. Një nga tanët, i pari i fshatit asokohe, u propozoi kundërshtarëve: Le të dalim dy të parët në duel. Cili të qëllohet do të marrë vajzën e kundërshtarit për nuse të djalit. Kështu lahemi dhe i mbyllim diskutimet. E kështu u bë. I pari qëlloi ai ‘përtejasi’. Plumbi i tij e zuri kalin e këtij tonit mu në ballë. Kundërpërgjigjja e menjëhershme e zuri atë në gju. Me këtë ngjarje u vendos paqja. Dy ish-armiqtë u bënë krushq. Të parët tanë na kanë thënë se nga kjo krushqi e parë rridhte edhe Sulltana, e ëma e Mehmet Shehut, që kishte lindur nga një fshat matanë Vjosës, në Shkozë”. Të zënë me histori e legjenda e kishim harruar fare “Mehmenë”, sikurse e quajnë në dialektin vendas. Shumë shpejt do të kemi rast ta kujtojmë.


Kujtimi i Mehmetit

Në fillim shkojmë në shkollën e heshtur. Këtu një klasë është shndërruar në një si lloj muzeu të thjeshtë. Në mur dallojmë portretin e njohur të Mehmet Shehut. Ngjitur me të lexojmë: Bektash Haxhiu, dy herë deputet, pjesëmarrës në Shpalljen e Pavarësisë dhe në Kongresin e Lushnjës. Të dy “armiqtë klasorë” fati i ka sjellë të rrinë bashkë në një klasë të heshtur në fshatin e tyre. Askujt prej tyre nuk duhet t’i ketë vajtur mendja për një fat të tillë, por ja që historia bëka të vetën. Pastaj janë rreshtuar me radhë njerëzit më të shquar të fshatit, një deputet i kohës së demokracisë, një mësues i vjetër dhe deri te Kastriot Islami i PS-së, babai i të cilit ka lindur pikërisht në këtë fshat. “Ka edhe njerëz që nuk janë përmendur ose që janë përmendur pak – na thotë Tekiu – njëri prej tyre ka qenë një figurë shumë interesante. Ai quhej Baki Pashaj. Ky ishte një mjek autodidakt. Nga varfëria zuri punë në Tiranë në vitet ’30 në spitalin e vetëm të asaj kohe. I zgjuar nga natyra, mori shumë njohuri. Kur u kthye në fshat këto njohuri i vuri në shërbim të bashkëfshatarëve. Në fillim bënte edhe punë të rëndomta, po aty nga fundi i viteve ’50 vetë shteti i dha të drejtën që të punonte si infermier. Aq shumë i suksesshëm ishte saqë i gjithë fshati e quante ‘doktori’. Bënte gjithçka nga dentist deri te ndërhyrjet e vogla kirurgjikale. Ka qenë një personazh me të vërtetë interesant”.
Jashtë në fshat nuk pipëtin gjë. Ai djali, miku ynë i parë, u është kthyer sërish kaposhëve të tij. Bashkë me miqtë vendosim të shohim një lagje tjetër, që ndodhet disi më lart, në kodër. Ajo quhet Varfaj. Banorët e saj janë me origjinë të largët nga Progonati në Kurvelesh. Gjatë rrugës shohim shumë shtëpi të mbyllura, oborre që janë zënë nga ferrat dhe lofatat. Braktisja ka kohë që ka nisur në këtë vend. Na thonë se në 1990 fshati kishte 281 familje që bënin afër 1250 banorë. Regjistrimi i fundit ka shënuar 87 familje me 370 banorë. Shkolla ka tani vetëm 50 nxënës që mësojnë në dy klasa kolektive. Në njërën mblidhen ata të fillores, në tjetrën ata më të rriturit. Njëra nga mësueset e pakta udhëton bashkë me ne në makinë. Për të ka qenë një fat i vërtetë. Për të bërë punën asaj i duhet të ecë në vapë, në shi, në të ftohtë e në baltë çdo ditë, dy orë vajtje-ardhje. Kur mbërrijmë në lagjen lart ndahet me ne. “Rrofshi dhe ju vaftë mbarë – na thotë – më bëtë goxha nder”.
Varfaj është një grumbull shtëpish të gurta. Atje njohim Shaban Velajn. Një njeri që i bën të gjitha punët që mund të bëhen në një fshat. Ky është vërtet një personazh më vete. Në fillim na tregon shtëpinë e tij të parë të ndërtuar që më 1904. “Kanë bërë shtëpi të forta asokohe – thotë – jo si ne tani. Kishte burra atëherë”. Babai i Shabanit për disa vite të mira pat qenë emigrant në SHBA, ndër të paktët që kishte fshati asokohe. U kthye për motive të veta duke sjellë me vete edhe përvojën e atëhershme. Sipas Shabanit, kurrë nuk ra dakord me komunizmin. Ishte shumë i lidhur me leximin. Njëri nga nipat e tij quhet Martin, kujtim i kohës së librave.
Duam apo nuk duam biseda shkon vetvetiu te Mehmet Shehu. Në fakt, më shumë kujtojnë emra e ngjarje dy miqtë tanë: Tekiu e Shabani. Kujtojnë për shembull fatin se sa djem nga fshati morën të drejta studimi vetëm se ishin nga fshati i Mehmetit, ose historinë se si u bë rruga e vetme e asfaltuar në krejt zonën, ose se si e kishin derën hapur në zyrat e pushtetit për ç’do hall që kishin. Ndryshe nga sa është krijuar ideja Çorrushi nuk ka qenë krejtësisht me partizanët. Na tregojnë se 75 “dyfeqe”, njerëz nga Balli, kanë marrë pjesë kundër partizanëve në betejën e përgjakshme të Tendës së Qypit në 1944. Megjithatë, hija e rëndë e Kryeministrit më jetëgjatë të kohës vazhdonte t’u ndihte që nga larg. Të dy kujtojnë pastaj se si një fshat i tërë u mpi kur në edicionin e lajmeve u dha lajmi i vetëvrasjes së njeriut të tyre. “Një lagje lart nuk kishte drita. Ata nuk morën gjë vesh atë natë – thotë Shabani – po ne, të tjerët, ngrimë të tërë. Edhe pse nuk isha dakord politikisht me të, e quanim djalin e fshatit. Pastaj atë e kishim zgjidhje për shumë gjëra. Mbaj mend që jemi mbledhur në qendër të nesërmen në mëngjes dhe na dukej si çudi e madhe. Fjalia më e përhapur ishte se diçka e rëndë ka ndodhur atje në majë, ndryshe nuk e shpjegonim. Disa ditë më vonë erdhi një i deleguar dhe na e shau Mehmetin. U ngritën edhe plot që këtu që ia dëgjuan fjalën. Unë vetë desha ta pyes se si është e vërteta, por nuk ma mbajti. Përse të gënjej, ne na shihnin edhe si me cen. Ishin kohë të këqija. Tani ata që e shanë, ata po e mbrojnë. Hajde merre vesh këtë punë. E dini se si është puna more djem. Në vaki flitet pak, ndërsa sa për në dasmë atëherë flasin të tërë”.
Biseda vazhdon gjatë. Kujtohen me dhjetëra emra. Të gjithë janë nga ata që e pësuan pas 18 dhjetorit të 1981, ditës së fundit të Mehmetit. Kush me ulje në detyrë, kush me transferim në zona të thella, por edhe dënime me burgim dhe internime. Nga njerëz të besuar shumë çorrushiotë u panë me dyshim. “Paska qenë edhe mirë edhe keq të jesh nga i njëjti fshat me një Kryeministër”, bën shaka Shabani.
Në të kthyer ndalojmë një copë herë në shtëpinë e Mehmet Shehut. Më mirë me thënë në kopjen e rindërtuar të shtëpisë së vjetër, e cila u shkrumbua që më 1943. Në 1978 shtëpia u rindërtua sipas modelit të vjetër nga ustallarë gollobordas. Këtu u vendos edhe muzeu i fshatit. Ecim për do kohë brenda mureve të saj ngjyrë gri. Nuk ka mbetur më asgjë. Vetëm era fshikullon disa copa letrash të mbetura nga lavdia e dikurshme. Jashtë, një gomar i mërzitur nga dielli ia nis një avazi prej vërteti. Njësoj sikur të dojë të na thotë: Po ç’patët more ditëzinj, akoma merreni me avaze të vjetra? Nuk ia shpjegojmë dot veshgjatit se për ta kuptuar një njeri duhet më parë të shohësh vendin ku lindi e u rrit. Kjo do të ishte e tepërt në këtë ditë ende të nxehtë shtatori.


Vitet e Mehmet Shehut

Mehmet Shehu, një nga figurat më të njohura dhe më të diskutuara të Shqipërisë së shekullit XX, lindi në Çorrush të Mallakastrës së Egër më 10 janar 1913. Shkollimin e parë e mori në fshat dhe pastaj e vazhdoi në Skrapar te disa miq të të atit. Më 1932 mbaroi studimet në Shkollën Teknike në Tiranë, që asokohe drejtohej nga Harry Fultz. Më pas niset për studime në një akademi ushtarake në Napoli, por përjashtohet si përkrahës i ideve komuniste. Për të njëjtën arsye burgoset për pak muaj edhe pas kthimit të tij në Shqipëri. Më pas punon si traktorist në fermën e Harry Fultz në Kavajë dhe ndjek njëkohësisht edhe kursin për oficerë në Tiranë, të cilin e përfundon më 1937. Në dhjetor të të njëjtit vit rreshtohet në krah të brigadave internacionaliste që shkuan për të ndihmuar Republikën Spanjolle. Më 1939 shkon në Francë, ku ishin strehuar shumica e të majtëve të mundurve në Luftën e Spanjës. Këtu qëndron deri më 1942. Që prej këtij viti kthehet në Shqipëri dhe caktohet sekretar organizativ i PKSH-së për Qarkun e Vlorës. Gjatë LNAÇL ishte ndër emrat më të njohur të komunistëve. Në moshën 30-vjeçare, në shkurt të 1943, ishte komandant i “Çetës Plakë” të Mallakastrës. Në mars të 1943 ishte kandidat i Komitetit Qendror të PKSH-së. Në gusht të 1943 ishte në krye të brigadës së parë partizane që u themelua, edhe me ndihëm e anglo-amerikanëve dhe jugosllavëve, në Vithkuq të Korçës. Në verën e 1944 ishte komandant i Divizionit të Parë Sulmues, që kapërceu Shkumbinin për ta shtrirë zonën e influencës komuniste edhe në Veri. Në nëntorin e 1944 komandoi trupat partizane që çliruan Tiranën. Nga 1945 e deri në 1946 përfundoi studimet në akademinë ushtarake “Vorshillov” në Moskë. Një vit më vonë ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Brendshëm në një kohë të vështirë për regjimin e Hoxhës, në vitet 1948-1954. Që prej këtij viti e deri më 1981 ishte Kryeministër i Shqipërisë. Vdiq në 18 dhjetor të 1981. Versioni zyrtar i kohës ishte vetëvrasja. Fundi i tij shkaktoi shumë diskutime e hamendësime, të cilat vazhdojnë edhe sot e kësaj dite. Familjarët e tij u persekutuan rëndë.


Letra e fundit e Mehmet Shehut e shkruar disa orë para vetëvrasjes, Tiranë 18.12.1981

Shoku Enver, në librin “Kur lindi Partia”, në pjesën e shkruar me dorën tënde, ndër të tjera, më shkruaje: “Ti, i dashur Mehmet ke qenë dhe je një nga udhëheqësit e lavdishëm të Partisë, kurdoherë në ballë të çdo lufte, në çdo moment i gatshëm, i papërkulur e parimor për të mbrojtur popullin, Atdheun socialist, Partinë që na rilindi e na kaliti si udhëheqës revolucionarë, luftëtarë të papërkulur për komunizmin, shërbëtorë të devotshëm për popullin, për luftën e madhe që ti ke bërë e po bën si bir dhe si ushtar besnik i tyre, Partia dhe populli do të jenë mirënjohës”.
Unë, shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve të përqafoj. Enveri, 11 qershor 1981
Shënim: Nënvizuar nga unë, M.SH.
Por unë, shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve gabova politikisht dhe ideologjikisht kohët e fundit, duke pranuar fejesën e djalit tim, Skënderit, me vajzën e Qazim Turdiut, fejesë të cilën, me ndërhyrjen tënde të drejtë, e prisha. Arsyet pse e bëra unë këtë gabim politik, i shpjegova në autokritikën që bëra. Asaj autokritike të datës 12 nëntor, prej 39 faqesh, nuk i heq “asnjë presje”, sepse është autokritikë e sinqertë, absolutisht e sinqertë. Kjo autokritikë, në mbledhjen e Byrosë Politikë të datës 17 nëntor (1981), u hodh poshtë nga gjithë anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike dhe më në fund, ju e quajtët atë “alibi”, duke kërkuar që unë sonte të reflektoja dhe të pranoja të gjitha kritikat që m’u bënë në Byronë Politike dhe për të rrëzuar krejtësisht autokritikën time, që ju e quajtët “alibi”, d.m.th. gënjeshtër, mashtrim.
Në një shënim që më dërgove më 28 tetor 1981, në lidhje me projekt-autokritikën time që ta kisha dërguar, më thoshe që t’u bëja analizë elementeve negative në karakterin tim, se aty do të gjeja edhe arsyen e vërtetë të gabimeve. Dhe i quajte “...disa elemente negative të karakterit (tim), që shfaqen shpeshherë në punën shumë të frytshme që bëj për interesin e Partisë, që ti (unë) e do (dua) dhe lë jetën për të”. Po, shoku Enver, unë gjithmonë kam qenë i gatshëm për të lënë jetën për Partinë. Dhe pikërisht këtë po e bëj tash: po lë jetën për Partinë, për të të dhënë rastin e vetëm që më mbeti, ty, shokut, mësuesit dhe vëllait tim të dashur, unë, shoku yt më i afërt i halleve dhe i fitoreve, siç më ke quajtur me të drejtë, që të mësosh të vërtetën.
Unë po lë jetën për Partinë pa hezitim dhe gjakftohtësi, se s’më latë rrugë tjetër për të mbrojtur Partinë. Nga kush? Nga Jagua-gjarpër dhe Hrushovi që arritën për fat të keq të Partisë të të rrethonin, të manovronin për të të shkëputur përgjithmonë nga shoku yt i halleve dhe i fitoreve. Cilët janë këta (Jagua dhe Hrushovi shqiptar), të takon ty t’i gjesh, ata dihen, njihen.
Unë nuk heq “asnjë presje” nga gjithçka kam shkruar e thënë për ty si shok, si mësuesi im marksist-leninist dhe si vëlla. Por tash që po ndahemi fizikisht, të them atë që nuk mund të ta thosha gjer sot, sepse kurrë s’më krijove kushtet të të thosha të vërtetën për ta. Unë nuk po vras veten, por më vrau Jagua intrigant, këlysh i Koçi Xoxes e nxënës i tij, që me intrigat e tij të pështira, duke hyrë në aleancë tradhtie me Hrushovin që ju e konsideroni “të sinqertë”, të dy së bashku e me fijet e tyre do t’i bëjnë varrin Shqipërisë socialiste; atë që s’e bëri dot tradhtari Beqir Balluku e banda e tij, do ta bëjë nesër Hrushovi ynë, i cili, siç e kam dëgjuar me veshët e mi, por që kurrë nuk kam mundur të ta them se, ndërsa për gjithçka më kishe krijuar kushtet për të biseduar, për këta dy (Jagon - gjarpër, intrigant e karrierist dhe Hrushovin e ri), - pra siç e kam dëgjuar me vesh tha, kur u prishëm me Moskën: “Pse vetëm ne qenkemi të vetmit marksistë-leninistë?” d.m.th. s’ishte dakord që u ndamë me revizionistët hrushovianë. Ju mos besoni këtë që po ju them po të doni, kjo është puna juaj, por unë, duke mos pasur mundësi tjetër të zbuloj këtë komplot Jago-Hrushov, po veproj siç veprova. Këta sot hiqen si komunistë “të kulluar”, por nesër nuk do të jeni ju, Hrushovi do të kthehet nga Moska hrushoviane. E rastit qe ajo që ai propozoi në vitin 1977 në Byronë Politike për të revizionuar sistemin arsimor tonin e për ta kthyer shkollën e mesme në shkollë 10-vjeçare, njësoj si shkolla sovjetike?... (Nuk kuptohen disa fjalë në origjinal). Po Foto Çami që në vitin 1975 me grupin e tij, nën drejtimin e Ramizit... (mungon një frazë) (është e pakuptueshme në origjinal). Pse s’u bë çështje ai propozim? Unë bëra një faj politik dhe kjo u fry, nën ndikimin e Jagos dhe Hrushovit tonë (është e vetmja kritikë që të bëj), Jagua ishte në luftën antifashiste dhe s’ka qenë krejtësisht i pastruar... (Nuk kuptohen disa fjalë në origjinal), gjersa në mbledhjen e djeshme të Byrosë Politike, nën ndikimin pikërisht të manipulimeve të Jagos unë u quajta “Uni që e vë veten mbi Partinë”, mendjemadhi që s’pyet për të tjerët, monopolist i gjithë punës shtetërore dhe një mijë e një akuzave shtet. Jo shoku Enver, unë gabova për arsyet që thashë në autokritikë, unë kam edhe të meta në punë, por që të kem punuar për “dualizëm” (me ju!), për të vënë veten mbi partinë etj., akuza të kësaj natyre që m’u bënë, këtë kurrë nuk e kam bërë, kjo ishte një akuzë e përbindshme që unë kurrë nuk e pranoj. Dhe autokritika ime nuk ishte alibi, por e sinqertë. Kam punuar gjithë jetën për Partinë, për popullin, kurrë nuk kam luftuar e punuar për “karrige”, për “nam”, për t’u quajtur “strateg”, për të dale përpara Enver Hoxhës (dualizëm), për privilegje personale. Akuza më e rëndë që m’u bë nga Jagua e nga Hrushovi e nga të tjerë nën ndikimin e tyre, ishte se unë gabimin e kam bërë (për të vënë veten time mbi Partinë, se unë kultivoj “unin” për t’u dukur, d.m.th. kundër Partisë. Kaq shpejt u harruan luftërat që bashkë kemi bërë kundër armiqve të brendshëm e të jashtëm? Ju, personalisht, nuk më quajtët armik, por Jagua, Hrushovi edhe të tjerë, duke më akuzuar se e vë veten mbi Partinë, praktikisht më kanë akuzuar armik.
E jo, shoku Enver, unë nuk jam armik, armiku është Jagua. A e mbani mend kur bisedonim një herë për fejesën e Skënderit në shtëpinë tënde, ku kisha ardhur të qanim hallin e atij gabimi politik që bëra unë, e të shoh se armiku gjithmonë është përpjekur për të futur pykat midis në të dyve, d.m.th. për të përcaktuar udhëheqjen, e të përmenda Koçi Xoxen, Liri Belishovën e Çu En Lain? Ata s’mundën t’ia arrinin dot qëllimit. Edhe Beqir Balluku bëri të njëjtën orvatje, por s’ia doli dot në krye komplotit. Këtë herë ia doli në krye Jagua (Kadri Hazbiu). Ju mund të më quani si të doni, e keni vetë në dorë! Por unë po vdes për Partinë, për të të thënë amanetin e fundit: Ruaje Partinë dhe socializmin nga Jagua dhe Hrushovi se, ndryshe, pas teje këtu do sundojnë hrushovjanët dhe socializmi do të marrë fund. Po e dekonsiderove këtë që po them për Jagon dhe Hrushovin tonë, atëherë unë s’të kam faj, i dashur Enver aherë e gjithë përgjegjësia do të bjerë mbi ty. Unë e bëra detyrën time me të vetmen mënyrë, me të cilën m’u dha mundësia, vetëvrasja.
Edhe një herë: Amanet Partinë nga Jagua e Hrushovi! Partia jonë ka kuadro plot besnikë, plot të tjerë.
Rroftë Partia jonë e lavdishme, me vijën e saj kurdoherë të drejtë, marksiste-leniniste! Rrofshi ju, të paktën sa të siguronim Partinë e socializmit nga Jagua dhe Hrushovi, dy komplotistët e sotshëm më të rrezikshëm dhe shumë e shumë vjet të tjerë!
Poshtë imperializmi, me imperializmin amerikan në krye! Poshtë revizionizmi, me social-imperializmin (dhe atë kinez) në krye! Rroftë komunizmi!
Poshtë reaksioni!
Amanet familjen time - Fiqiretin, djemtë (përfshi dhe Skënderin dhe Bashkimin), fëmijët e nuset e djemve! Po të shihni se është interesi i Partisë thoni se “Mehmeti vdiq aksidentalisht, duke manipuluar armët!” ose si të doni. Edhe armik po më quajtët, kam besim se asgjë s’mbetet pa u zbuluar nga koha, e vërteta s’vdes kurrë.
Po vdes i pafajshëm, më vrau Jagua i Shqipërisë!
Tiranë 18.12.1981 - Nënvizuar nga Mehmet Shehu

No comments:

Post a Comment